31/10/2024/ 09:31
Magjia e plazhit të virgjër, Lukovë, Sarandë – Alona Eltari – travel blogger
Natyrë & Udhëtime

Magjia e plazhit të virgjër, Lukovë, Sarandë – Alona Eltari – travel blogger

Apr 19, 2021

Ujë me ngjyrë të kaltërt dhe i pastër kristal, herë zalli është me gurë të mëdhenj, e herë gjen plazhe intime me pllaka guri ngjyrë të bardhë, ose trëndafil me gura të imët shumëngjyrësh.

E vendosur vetëm 21 km larg qytetit të Sarandës, fshati i Lukovës gjendet në jug-perëndim të Shqipërisë. Në pjesën bregdetare kufizohet me fshatrat turistik të Piqerasit dhe Shën Vasilit, ndërsa në anën e malit kufizohet me fshatrat Sasaj, Hundecace dhe Nivicë.

Lukova shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit. Lukova është perla e bregut të Jonit, ku gjelbërimi i pafund bashkohet në harmoni të plotë me ngjyrën e kaltërt, ku klima bregdetare gërshetohet mrekullisht me klimën malore dhe ku flladi i detit bashkohet me aromën e pemëve.

Një nga plazhet më të bukura të jugut të Shqipërisë, ende të virgjëra, ku mund të shkoni me makinë personale, pasi rruga është e shtruar deri afër bregut. Pasi zbret në plazh, shikon gjirin e madh të Lukovës. Është e mundur parkimi i makinave dhe i rulove, sidomos në anën e majtë të gjirit, pasi edhe fusha aty është e madhe dhe është përdorur për koncerte. Në anën e majtë të plazhit, i cili njihet edhe si Shpellë Lukovë, keni mundësi të rrëziteni në diell në plazhe të vogla dhe intime, që vijnë në formë gjiresh me pllaka guri ngjyrë të bardhë dhe trëndafili. Për të gjetur këto duhet të ecni rreth 10minuta në këmbë në terrenin të vështirë me gurë të mëdhenj dhe të merrni çadër me vete. Aty ka shumë shkëmbinj, nga ku mund të kridheni në ujin e kristaltë dhe ngjyrë turkeze, të detit Jon.

Në anën e djathtë pasi ecni 6-7 minuta do të gjeni një ambjent tejet shlodhës në ullishtet e mbjellura aty. Nuk iu duhet çadra me vete, pasi degët e ullinjve do t’iu bëjnë hije dhe një përrua me ujë të ftohtë nga mali i Lavanit që derdhet aty, do t’iu plotësojnë nevojat ditore. Flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që ju duhet patjetër të zbuloni në Lukovë.

Në plazhin e Lukovës ka mjaft bare dhe restorante cilësore me çmime konkurruese dhe produkte të freskëta, sidomos prodhimet e zonës.

Vendndodhja e hershme e Lukovës, është qyteza e Dhoknës në kodrat e Gjashnjarit që i takon shek. III – II p.e.r. Kjo qytezë u dogj nga komandanti romak Pal Emili në vitin 169 p.e.r., bashkë me 70 qytete të tjera të Epirit. Figuron i dokumentuar në kadastrat e regjistrimit osman të vitet 1431 dhe 1582 me emrin Llukova. Nga Lukova ka qënë Shën Nimfoni, klerik i lartë në Kostandinopojë (Stamboll). Ai ka lindur rreth viteve 50 të shek. XIII. Fillimisht punoi prift në Manastirin e Mesopotamit.

Lukoviotet kanë shërbyer si ushtar në Mbretërinë e Napolit. Për mbrojtjen e saj ranë 30 lukoviote. Mbreti urdhëroi një kambane që u vendose në Manastirin e Krorzës. Është fshat i krishterë me tri kisha mes të cilave kisha e Shenepremtës e shek. XVII. Lukova nuk u përfshi në djegiet e Ali Pashe Tepelenës më 1798.

Kundër turkut luftoi trimëresha lukoviote Kalina. Lukova ndodhet në listën e fshatrave të bregdetit që ka firmosur letrat drejtuar Papës së Romës dhe Caricinës Ruse si dhe mbretërisë së Napolit e të Venedikut, që i quante këto fshatra pronë e tij.

 

Sjell për faqen Alona Eltari – travel blogger

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi