31/10/2024/ 09:27
Historiku i Shën Valentinit, dita e të dashuruarve
Kuriozitete

Historiku i Shën Valentinit, dita e të dashuruarve

Feb 13, 2022

Data 14 Shkurt, njihet në të gjithë botën si Festa e Shën Valentinit.

Si çdo festë tjetër edhe ajo vjen nga ritet pagane, por me kalimin e kohës u pasua nga një sërë legjendash. Disa nga elementët që përfaqësojnë këtë festë janë trëndafilat e kuq, kartolinat e dashurisë, ëmbëlsirat dhe dhuratat simbolike, por sigurisht që me kalimin e viteve ato i janë përshtatur modës dhe teknologjisë.

Për ditën e të dashuruarve ka disa legjenda. Një ndër to thotë se, Valentini ishte një prift, i cili shërbente gjatë shek. III në Romë. Një ditë dëgjonte teksa grindeshin dy të rinj të fejuar, të cilët po kalonin përtej kopshtit të tij. Ju doli përpara me një trëndafil të bukur në dorë, të cilën ja dhuroi çiftit. Ai ju kërkoi të dyve që ta shtrëngonin lulen me kujdes, që të mos shpoheshin dhe shpjegoi lidhjen e dy personave të dashuruar. Pas kësaj, dashuria e tyre u kthye si më parë. Me dëshirën e tij dhe vullnetin e dy të rinjve, Shën Valentini bekoi martesën e tyre të lumtur, pikërisht me datën 14 shkurt. Me tu bërë e njohur kjo gjë, u zhvillua një proçes ndaj Valentinit dhe ai u vra.

Një tjetër legjendë thotë se kur perandori i asaj kohe, Klaudi II, nxorri jashtë ligjit martesën për meshkujt e rinj, pasi mendonte se të pamartuarit ishin ushtarë më të zotë, Valentini celebronte në fshehtësi martesat e të rinjve të dashuruar. Kur perandori e zbuloi një gjë të tillë, ai urdhëroi që Valentini të dënohej me vdekje. Sipas historive të tjera, Valentini mund të jetë vrarë ndërsa ndihmonte të krishterët të arratiseshin nga burgjet romake, ku ata torturoheshin.

Në shek. XVI, pikërisht më 14 Shkurt, si shenjë dashurie jepeshin dhurata si: doreza, çorape dhe shami. Në shek. XVII ishin veshjet dhe një shishe verë. Në këtë periudhë, 14 Shkurti festohej në Francë, Gjermani, Itali etj. Në Britaninë e Madhe, Shën Valentini filloi të ishte festë popullore rreth shek. XVII dhe në mesin e shek. XVIII u kthye në një ritual të zakonshëm, që miqtë dhe të dashuruarit e të gjitha sferave shoqërore, shkëmbenin dhurata të vogla apo letra me shkrim dore. Në fundin e këtij shekulli, kartolinat e shtypura filluan të zëvendësonin ato të bëra me dorë për shkak të përparimeve të teknologjisë.

Pavarësisht nga të gjitha këto, duhet theksuar se letra më e vjetër e urimeve është një poezi e shkruar nga Çarlsi, duka i Orleanit, për bashkëshorten e tij në kohën që ai ishte i burgosur në kullën e Londrës. Letra është shkruar në vitin 1415 dhe është ruajtur në Muzeun Britanik të Londrës.

Kulti i Shën Valentinit në Amerikë nis në vitet 1800. Japonezët e festojnë ditën e të dashuruarve, por më shumë e quajnë si dita e punëve të grave. Kjo sepse vajzat duhet të japin ëmbëlsira, sidomos çokollata, djemve që adhurojnë, si shenjë për të siguruar respektin e tyre.

Festa vazhdon të qëndroj mes legjendave të shumta dhe siç ndodh shpesh në ceremonitë fetare e afron shpesh origjinën e saj me një rit paganë të fertilitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi