Udhëtimi malor që të çon në gjirin bregdetar më spektakolar të Jugut të Shqipërisë.
Gjiri i vogël i Gramës, është destinacioni më super për një fundjavë, por në rrugëtimin më të lodhshëm malor.
Njihet si gji, që në kohën e Jul çezarit, pasi afër tij është zhvilluar një nga luftërat romake.
Emrin Gramë (Gramata) e ka prej gërmave, që janë gdhendur në shkëmbin e madh në të majtë të këtij gjiri. Thuhet se janë shkruar mbi 1500 fjalë, përgjithësisht lutje për shpëtim dhe mbijetesë të njerëzve që kanë mbetur aty me anije të prishura nga stuhitë.
Ky shkëmb i thiktë, është i kategorisë së parë gjendet në gadishullin e Karaburunit. Ka shërbyer si vend strehimi për anijet që gjendeshin në vështirësi përgjatë këtij bregdeti të rrezikshëm në kohë të keqe…
Këtë udhëtim mund ta bëni vetëm me guidë, ose njerëz që e njohin mirë zonën e Llogarasë. Nëse niseni nga Tirana, do të vazhdoni rrugën për në Vlorë dhe më pas për Llogara.
Iu këshilloj që të flini një natë në Llogara, në hotel ose në çadra. Ditën tjetër nisni udhëtimin shumë herët në mëngjes, rreth orës 5:00-6:00, pasi iu duhet të ecni rreth 8 orë bashkë me ndalesa dhe gjatë ditës dielli do t’iu lodhi. Duhet të furnizoheni mirë me ujë dhe ushqim për dy ditët në vazhdim. Mos merrni shumë rrobat me vete (kjo këshillë sidomos për vajzat J ), por mos harroni dyshekun për të fjetur (sleeping bag), tendën për fjetje gjatë natës, shtroje, elektrik dore dhe shkrepëse për të ndezur zjarrin në darkë.
Udhëtimi i ditës së dytë, siç e thashë më lartë do të jetë rreth 8 orë ecje në mal. Ecja do të filloj nga shtegu i Çezarit, ku në shtigjet e malit, do të shikoni një rrugë me kalldrëm, që duhet të jetë më shumë se 2000 vjeçare. Pyjet me pisha janë ato më të dendura, por do të gjeni lloje të ndryshme bimësh, insektesh dhe pemësh. Udhëtimi nis në pyllin e dendur të Llogarasë, por gjatë rrugës mali do të jetë i zhveshur dhe shkëmbor. Shkalla e vështirësisë është mesatare, prandaj duhet të keni veshur këpucë të forta për ecje në mal. Rruga e gjatë me zigzaget e malit, kalon edhe përmes pyjeve të tjera dhe të dendura dhe shpateve të malit që janë të zhveshura dhe nuk ka hije. Për këtë duhet të merrni krem për të lyer fytyrën dhe krahët, pasi dielli do t’iu zëri përgjatë gjithë ditës.
Gjatë udhëtimit do të ndesheni me stanet e krijuara nga barinjtë, të cilët kullosin bagëtinë e imët, si: dele dhe dhi. (Kujdes nga qentë e stanit, nuk janë edhe aq dashamirës).
Vjen momenti kur gjiri i Gramës duket në të djathtë, por që të mbërrini atje, ju duhet edhe një orë në këmbë të zbrisni shtigjet e malit.
Në gjirin e mrekullueshëm të Gramës, me ujin e kristaltë, do të mbërrini me afërsi nga dreka rreth orës 13:00. Filloni të laheni për të shijuar ujin, për të cilin bëtë gjithë këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë. Pasi të konsumoni drekën e marrë me vete, hapni tendat, në të cilat do të flini gjatë natës. Pasditen mund ta kaloni duke zbuluar gjirin: duke ngjitur shtegun nga ana e djathtë që do t’iu tregoj gjirin nga këndvështrimi tjetër. Mund të bëni foto, mund të këndoni, ose mund të luani nëse keni marrë lojra me vete.
Në darkë iu sugjeroj të ndizni zjarr të vogël dhe të shikoni qiellin. Kështu do të shijoni një mbrëmje në hotelin jo me 5 yje, por në “hotelin me miliona yje”.
Në ditën e tretë dhe e fundit, qëndroni dhe bëni pak banjo dielli dhe më pas nisuni për t’u kthyer në Tiranë (nëse jeni nisur nga Tirana), po kësaj radhe nga ana tjetër; ku në fillim do të shkoni në gjirin e Shën Andeut dhe më pas në Palasë.
Rreth dy orë në këmbë nga gjiri i Gramës, ndodhet gjiri i Shën Andreut. Qëndroni edhe aty për pak orë për t’u larë dhe ngrënë diçka. Më pas nisuni për në plazhin e Palasës. Rruga kalon përmes pyllit dhe ka hije në të shumtën e kohës. Shtegu është i thjeshtë për ta gjetur, pasi kjo rrugë është më shumë e shkelur se shtegu i malit.
Pasi të shkoni në gjirin e Palasës, me gurë të mëdhenj e të bardhë, mund të hani aty drekën, ose gjatë rrugës kur të ktheheni për në Tiranë.
Ky udhëtim këshillohet të bëhet nga muaj maj deri në tetor, por gjatë muajve korrik dhe gusht do ta keni shumë të vështirë për të mbajtur ushqime dhe ujë të mjaftueshëm, ndaj do t’iu duhet të merrni mushka për transport. Moti është shumë i nxehtë dhe dielli lind shumë herët. Kështu që, sado të ngriheni herët në mëngjes, 8 orë udhëtim do të jenë shuuuumë të lodhshëm dhe dielli i fortë. Ndaj, do të kërkoni të ktheheni pas shumë shpejt pas nisjes. Edhe ushqimet kanë prirje të prishen në temperatura të larta.
Jua kujtoj edhe një herë se çfarë duhet të keni parasysh përpara se të niseni.
-
Si fillim duhet të merrni parasysh faktin që do të ecni më shumë se 8 orë ditën e dytë dhe rreth 6 orë ditën e tretë; ndaj duhet të jeni shumë të përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht.
-
Ky udhëtim bëhet me guidë, ose me vendas, të cilët iu ndihmojnë edhe për transportin, duke iu ofruar mushkat kundrejt një pagese rreth 5000 lekë/ditë.
-
Do të merrni rreth 4-5 litra ujë dhe ushqim për minimumin 4 vakte. Përfshini edhe fruta dhe fruta të thata.
-
Në Gjirin e Gramës ka disa çadra dhe tenda. Mund të merrni tendën tuaj (dyshekun për të fjetur, shtrojën, dritën elektrike etj), por një pjesë të këtyre i gjeni edhe aty privatisht.
-
Merrni krem, kapele, këpucët e malit dhe pandofla plazhi, rroba për të fjetur gjatë natës, e cila është e ftotë dhe e lagësht, lojra tavoline (mos u nxeh, letra, fjalëkryqe etj), shkrepëse etj.
-
Mos merrni gjëra të tepërta që mendoni se nuk do t’iu duhen, pasi rëndoni çantën që do ta mbani në kurriz.
-
Nëse ju duket i lodhshëm ky udhëtim në këmbë, ju mund të merrni skaf nga Vlora, për të vajtur deri në Gjirin e Gramës.
Bëfshi qejf!
Fotot: Fation Plaku