31/10/2024/ 09:20
Vlonjati Marko Moçka – Kleriku që bekoi flamurin – nga Andre Llukani
Autorë Biografi Shqiptarë

Vlonjati Marko Moçka – Kleriku që bekoi flamurin – nga Andre Llukani

Nov 28, 2022

Për praninë e klerikut vlonjat Marko Moçka, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, dëshmi e pakontestueshme është një fotografi e realizuar prej një fotoreporteri austriak, të dërguar nga revista “DAS INTERESSANTE BLATT”, për të pasqyruar ngjarjet historike të nëntorit 1912, në qytetin e Vlorës. Në fotografi shohim kryetarin e qeverisë së përkohëshme të Vlorës, Ismail Qemalin, në praninë e përfaqësuesve të dy feve kryesore, hoxhë Haxhi Muhametit dhe atë Marko Moçkës. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare bekuan flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare. Fotografia është botuar në numrin 50 të revistës, më 12 dhjetor 1912, në vitin e 31-të të botimit të saj (Nr. 50. Vien, 12. Dezember 1912. XXXI. Jahrg). Sigurisht që fotoreporteri vjenez ka realizuar edhe fotografi të tjera atë ditë, të cilat kanë mbetur të panjohura për shqiptarët.

Duke arsyetuar se mjetet e komunikimit të asaj kohe ishin shumë më të kufizuara, më të thjeshta e më të ngadalshme se sot, fotoreporterit i duheshin disa ditë për ta përcjellur materialin fotografik në Vjenë. Rrjedhimisht ky fakt e përforcon arsyetimin se fotoja është realizuar disa ditë para datës së botimit (më 12 dhjetor), pra pikërisht më 28 nëntor 1912. Kështu kjo foto merr një vlerë të jashtëzakonshme sepse është e para që pasqyroi në kohë reale në publik shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në fotografi tregohet Ismail Qemali, duke përshëndetur nga ballkoni popullin e Vlorës. Fotografia zë gjithë ballinën e revistës. Mbi fotografi është vënë titulli me shkronja të mëdha “Proclamation der Unabhängigkeit Albaniens” (Shpallja e pavarësisë së shqiptarëve) dhe nën titull shkruhet: “Bildung einer provisorischen Regierung in der hasenstadt Balona” Krijimi i një qeverie të përkohëshme në qytetin bregdetar të Vlorës). Fotografia është realizuar në ballkonin në anën e pasme të sarajeve të Vlorajve. Poshtë ballkonit shquhet një karabinier me armë në krahë, një grua me kostum popullor, një malësor dhe pas tyre qindra njerëz të tjerë.

Në një fotografi tjetër të realizuar më 28 nëntor 1913, me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kleriku ortodoks Marko Moçka është në qendër, në krah të një burri me veshje kombëtare që valëvit flamurin kombëtar.

Kush ishte Marko Moçka

Marko Moçka ka lindur në Vlorë, në vitin 1857. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në vijim u shkollua në Janinë. Studimet e larta i kreu në Sh.B.A. Në vitin 1911 atë Marko Moçka me një grup studentësh shqiptarë që studionin në atë kohë në Sh.B.A takuan presidentin Uillson, ku diskutuan për moscopëtimin e Shqipërisë. Në këtë kohë atë Marko Moçka krijoi lidhje me Ismail Qemalin dhe u kthye në atdhe. Më 28 nëntor 1912, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atë Marko Moçka bashkë me hoxhë Haxhi Muhametin bekuan flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare, të cilin valëviti Ismail Qemali nga ballkoni i sarajeve të familjes Vlora, në orën 17:30. Atë Matko Moçka është botuesi i revistës “Diaspora Shqiptare”. Ai ka shërbyer në kishën e Shën Kollit në Poro të Vlorës.

nga Andre Llukani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi