31/10/2024/ 05:36
E papërsëritshmja, Violeta Manushi
Autorë Biografi Shqiptarë

E papërsëritshmja, Violeta Manushi

Nov 17, 2021

Aktorja e madhe e skenës shqiptare, Violeta Manushi, lindi më 6 mars të vitit 1926 në Voskopojë të Korçës. Punëtorja e tipografisë, vetëm 20-vjeçe, u regjistrua në shkollën e parë dramaturgjike të hapur pranë Teatrit të Shtetit, në vitin 1946; ku u shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë. Shkëlqeu në të gjitha llojet e aktrimit, si në komedi ashtu edhe në dramë. Luajti në skenë e në kinematografi.

Gjatë karrierës së saj realizoj 100 role në teatër  dhe 16 role në kinematografi. Në dramën “Orët e Kremlinit”, të vitit 1957, ajo luati njëherësh 3 role, duke shënuar rekord origjinal, që është ende në fuqi. Më pas shkëlqeu në rolet si protagoniste në komedinë “Morali i Zonjës Dulska” 1958 dhe “Gratë gazmore” të Uindsorit të vitit 1959.

Në dramaturgjinë kombëtare interpretoi me shumë sukses Olimbinë te “Karnavalet e Korçës” e vitit 1964; Zyranë te “Fytyra e dytë” e vitit 1968; Nicën te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”; Ollgën te “Zonja nga qyteti” e vitit 1975 dhe teto Ritën te “Pallati 176” e luajtur në vitin 1985.

Pjesët teatrale në të cilat ajo ka luajtur janë: “Qypi me flori”; “Epopeja e Ballit Kombëtar”; “Dom Gjoni”, “Pas vdekjes”, “Halili dhe Hajria”, “Tartufi”, “Mikroborgjezët”, “Orët e Kremlinit”, “Artur Oui”, “Lumi i vdekur”, “14 vjeç dhëndër”, “Borgjezi fisnik” etj.

Ndërsa në filma ka luajtur në: “Tana” e vitit 1958; “Debatik” e vitit 1961; “Përse bie kjo daulle” e vitit 1969; “Mimoza llastica” e vitit 1963; “Një shoqe nga fshati” e vitit 1980; “Taulanti kërkon një motër” e vitit 1984, “Rrethimi i vogël” e vitit 1986 etj.

Rolin, të cilin të gjithë e njohin dhe nuk e harrojnë për batutat e tij është ai i teto Ollgës në filmin “Zonja nga qyteti” i vitit 1976. Për këtë rol që i dha shumë popullaritet, Violeta Manushi u nderua me çmimin e parë si interpretuesja më e mirë, në Festivalin e Filmit të vitit 1977.

E papërsëritshme, origjinale dhe e dashur për të gjitha moshat, Violeta Manushi do të mbetet ikonë e kinematografisë shqiptare, për emocionet e bukura që na dhuroi ndër vite.

“Artistja e Popullit” Violeta Manushi është vlerësuar edhe me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës. Ndërroi jetë më 26 korrik të vitit 2007.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi