25/11/2024/ 23:41
Flamuri i vitit 1880 i Plavës dhe Gucisë – Prof. Dr. Frederik Stamati
Kuriozitete Studime

Flamuri i vitit 1880 i Plavës dhe Gucisë – Prof. Dr. Frederik Stamati

Apr 9, 2021

Në vitin 1946 apo 1947, shumë sende me vlerë kaluan në Institutin e Shkencave për muzeun në Fondin Etnografik, ku ruhen ende.

Në vitin 2000 më dorëzuan shumë prej tyre, për t’u ndrequr në laborator, si dhe një shukë lecke, kalbësirë e vërtetë, që qelbej nga era myk. Ishte flamur i vjetër. Sapo e zije me dorë shkërmoqej, ndaj nuk hapej. E zbuta me glicerinë, pastaj e shpalosa. E kishte kalbur myku i zi. Ndërsa punoja, më skuqeshin duart e më digjte fyti nga alergjia. Kur e hapa, pëlhura e pambuktë ishte shkruar turqisht.

Çfarë historie përmbante, të meritonte të ishte objekt muzeu?

Zgjidhjen e të fshehtës e gjeta, pas dhjetë vjetësh, duke rrëmuar në dokumentet e Arkivit Qëndror të Shtetit.

Nga ato mësova se, ishte flamur i banorëve të Petrelës, që vajtën në 1880 të mbronin Plavën dhe Gucinë nga pushtimi i Malit të Zi. Personat, që shkuan të luftonin, mendonin se flamuri do t’i ndihmonte të dilnin fitimtarë.

Në kongresin e padrejtë dhe famëkeq të Berlinit në 1878, Fuqitë e Mëdha vendosën, që Plavën dhe Gucinë t’ia jepnin Malit të Zi. Shqiptarët kundërshtuan. Princi i Malit të Zi e kuptoi se, mund t’i merrte vetëm me luftë, prandaj përgatiti ushtrinë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit dha kushtrimin. Mijëra vullnetarë nga krahinat e Kosovës dhe Shkodrës vajtën në ndihmë forcave vendase në Plavë dhe Guci.

Ata organizuan luftën nën komandën e Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit.

Në janar 1880, në afërsitë e fshatrave Velikë e Pepiç, u bënë përleshje në përfundim të të cilave 12 mijë malazezë, të udhëhequr nga Vojvoda, u sprapsën nga qëndresa e 8 mijë shqiptarëve.

Atdhetarët së bashku me ata të Plavës dhe Gucisë e quajtën atë çështje shqiptare. Në mbrojtjen e tyre, morën pjesë luftëtarë nga vise të ndryshme të vendit.

“Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ndjenjat kombëtare” – e vlerësoi diplomacia austro-hungareze.

Nuk e dija historinë e tij, por punova për të bërë detyrën. Tani e vlerësoj punën time. Ky flamur u valëvit në luftime mes plumbave dhe përleshjeve trup me trup. Ky e di sa plumba kanë fërshëllyer përreth tij, sa jetë janë shuar dhe sa lot kanë rrjedhur. Ndaj mbeti monumenti i vetëm i atyre ngjarjeve mbresëlënëse…

Flamuri u arrit nga copat e kalbura, duke rindërtuar shkrimin! Flamuri është 145 cm i gjatë dhe po kaq i gjerë. Bërësit nuk kanë gjetur një fletë të vetme pambuku, prandaj i kanë qepur dy bashkë. Është punë mjeshtërore. Anash ka palosjen ku futej shtiza. Sfondi është bezhë, ndoshta ka qenë i bardhë. Ka tre rreshta shkrimesh të qëndisura me pe të verdhë, prej të cilëve kemi lexuar vetëm një. Jemi duke rindërtuar gërmat e prishura. Punë e vështirë! Ribërja e flamurit më mori më shumë se një vit punë. Ribërja donte durim se, është punë gjilpërë.

 

Prof. Dr. Frederik Stamati

Marrë nga revista “Rreth e Rrotull”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi