Një nga fotografët më të dalluar shqiptarë, në fillimin e shekullit të kaluar, është Vani (Jovan) Burda. Ai u lind në qytetin e Korçës më 1875, në një familje të vjetër patriotike. Në moshë të re si shumë bashkëqytetarë, për shkaqe ekonomike, mërgon në Rumani. Atje kishte dajën, patriotin e dëgjuar, Nikolla Naço, “kryeveteranin e Lëvizjes sonë në Rumani” – siç e quajti Lasgush Poradeci. Shqiptarët e Rumanisë, në vitin 1884, kishin krijuar Shoqërinë atdhetare “Drita,” e cila shtypi edhe libra shqip. Djaloshi u anëtarësua në të dhe punoi si fotograf, duke ndihmuar për forcimin e shoqërisë patriotike.
Vani Burda bëri fotografitë e hershme, që lidheshin me historinë e atdheut. Ai gjeti një pikturë të goditur, me autor ende të panjohur, në të cilën paraqiste portretin e atdhetarit të shquar të Rilindjes, Naum Veqilharxhi. Atë e përjetësoi, duke e fotografuar pastër e bukur. Sot, kjo foto na sjell para syve autorin e Abetares shqipe dhe kënaqësinë tek e shohim në librat tanë të historisë dhe letërsisë. Pas shumë përpjekjesh, Vani Burda, sjell nga Stambolli fotografitë e Frashërllinjve të Mëdhenj (Abdylit, Naimit dhe Samiut), të cilat riprodhohen vazhdimisht në botimet e sotme, pa shënuar emrin e fotografit të shquar.
Ai ishte veprimtar i Pavarësisë Kombëtare, i shkollës shqipe, duke fotografuar patriotët Mihal Grameno, Hilë Mosi, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, etj.
Më vonë futi ndjenjën e së bukurës, e cila bëhet pjellore. Burda, me guxim artisti dhe zemër atdhetari, krijoi fotopllakatin e parë, në vitin 1913. Iu kushtua Gjashtë Dëshmorëve të Orman Çiflikut (Korçë), dy vjet pas rënies së tyre heroike në luftë me ushtrinë turke. Në të, përveç fotoportreteve të luftëtarëve, dha elementë simbolik edhe katër strofat e vjershës, që përjetësoi kujtimin e dëshmorëve. Fotopllakati me ngjyra flet për shijen e hollë të autorit. U shtyp në Bukuresht dhe u shpërnda në Shqipëri dhe jashtë atdheut.
Burda është nga fotografët e parë shqiptarë, që më pas shtypi kartolina. Vlen të përmendet ajo, që paraqet Skënderbeun me Princ Vidin. Kartolina ishte e shoqëruar me aftësi në fushën e vizatimit me nivel të lartë kulturor. Atë e bëri në 1914, kur pritej ardhja e princit, me ndihmën e të cilit shpresonte përsëritjen e kohës së Skënderbeut. Kartolina shërbeu për urime.
Në vitin 1920, Vani Burda kthehet në vendlindje, Korçë, ku hapi studion fotografike. Krahas punës si fotograf, i kthehet edhe fotos artistike.
Në vitet ’30 emri i Vani Burdës ishte bërë i njohur në rrethet patriotike e kulturore, jo vetëm në Rumani, por më gjerë. Krijimtaria fotografike e Vani Burdës gjendet e shpërndarë, por edhe në Arkivin e Shtetit në Tiranë, Arkivin e Korçës, madje edhe te qytetarë të ndryshëm. Në arkiva ndodhen mbi pllaka xhami, të cilat duhet të mbrohen nga dëmtimet.
Vani Burda, mbetet nga përfaqësuesit më të hershëm e më të denjë të historisë së fotografisë shqiptare.
Qerim Vrioni
Marrë nga revista “Rreth e Rrotull”