26/11/2024/ 02:00
Fan S. Noli – Shpell’ e Dragobisë (Elegji për Bajram Currin)
Autorë Biografi Shqiptarë

Fan S. Noli – Shpell’ e Dragobisë (Elegji për Bajram Currin)

Apr 22, 2021

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti,
Se s’tronditej nga tërrmeti,
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u shtri e thon’ u vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ i Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh,
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me zjarr Shenjt u ndrit kjo shpella,
Gjer në qiell u ngrit Kështjellë
Për çlirimin’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

Poezia është shkruar më 28 tetor 1926 dhe u botua për të parën herë në “Liria Kombëtare”, më 28 nëntor 1926, së bashku me “Syrgjyn-Vdekur”.
Marrë nga libri “Poezi të zgjedhura nga Fan S. Noli” i vitit 1966.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi