Ura e Vashës, gjurmë historie e legjende – Abdulla Diku
Gjendet mbi lumin Mat, dhe bashkon brigjet e tij në dalje të kanionit të ngushtë që zbret nga mali i Dishit dhe ai i Vrrithit.
Ura është ndërtuar me një hark dhe në anën e djathtë të rrjedhës ka një dritare shkarkuese.
Është 11 metra e gjatë, hapësira e dritës midis dy këmbëve është 7 metra. Dhe lartësia e harkut nga pasqyra e ujit po 7 metra. Gjerësia e trasesë së urës është 2. 8 m dhe është shtruar me gurë e rrasa.
Harku i saj është gjysmë rrethor dhe është punuar me gur gëlqeror të latuar e të skuadruar dhe me qemer të dyfishtë. Të dy anët e qemerëve janë përforcuar me ganxha hekuri.
Mendohet se është 300 vjeçare por që gëzon ende një gjendje mjaft të mirë.
Ura ka qenë prej shekujsh një nyje mjaft e rëndësishme e aksit të rrugës së Arbrit ku karvanët, udhëtarët e ushtritë kalonin nëpër të.
Ura e Vashës ngjan me “Urën e Mesit” në Shkodër dhe me “Urën e Kamares” në Librazhd. Që dihen se kur janë ndërtuar; “Urën e Mesit” e ka ndërtuar Mehmet pashë Bushati në shek. XVIII. Kurse “Ura e Kamares” ka pasur një kushtim që datonte vitin 1715.
Emri “Ura e Vashës” nga ka ardhur?! Ura e Vashës” nuk ka pasur këtë emër.
Sipas legjendës, ura ka marrë këtë emër nga një familje nga fisi Skuraj që jetonte në Gur të Bardhë. Familja kishte vetëm një vajzë. Vajza (vasha) shiti pajën (prikën) e sajë për të ndërtuar urën.
Dhe a kishte vend më të mirë, më të rëndësishëm dhe kontribut më të madh se të ndërtosh një urë këtu?!
Kjo urë më parë quhej “Ura e Skurës” dhe e ka ndërtuar si vepër bamirësie Haxhi Skura nga lagja “Mansaj” e Gurit të Bardhë, afërsisht 300 vite më parë.
Duke qenë më e rëndësishme dhe emri “Ura e Vashës” më simbolik mban sot këtë emër, duke u njohur si e tillë në gojën e kalimtarëve.
Tashmë edhe ura e re ndërtuar së fundmi, mban emrin “Ura e Vashës”.
foto: Abdulla Diku