Historiku i shkollës “Harri Fultz”
Shkolla Teknike e Tiranës (1921-1933), e mirënjohur si Harry Fultz, u themelua nga Kryqi i Kuq Amerikan. Ajo u hap zyrtarisht më 20 Korrik 1921.
Nxënësit e regjistruar vinin nga gjithë Shqipëria, madje edhe nga Kosova. Mësuesit e parë ishin shtetas amerikanë dhe shtetas shqiptar të cilët kishin mbaruar Robert College në Stamboll. Përdorimi i gjuhës angleze sidomos në matematikë ishte i detyrueshëm. Mësimi shoqërohej vazhdimisht me shumë orë praktike në punishten e shkollës.
Harry Fultz, drejtori i kësaj shkolle, i zgjedhur nga KKA, rriti ndjeshëm reputacionin e shkollës, gjë që tërhoqi vëmendjen e qeverisë shqiptare, e cila akordoi një fond për ndërtimin e godinës së shkollës. Shkolla udhëhoqi edhe punimet për ngritjen e ndërtesës së legatës amerikane në Tiranë. Shkolla u mbyll në vitin 1933 për shkak të reformave të Mbretit Zog për mbylljen e gjithë shkollave që drejtoheshin nga të huajt, për shkak të tensionit italo-shqiptar.
Në 12 vitet e ekzistencës së saj, shkolla arsimoi 157 nxënës, teknikë dhe profesionistë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe nga Kosova. Ata dhanë ndihmesë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë të gjysmës së parë të shek.XX, duke ofruar jo vetëm kontributin e tyre profesional, por edhe një mentalitet të ri perëndimor në marrëdhëniet e punës dhe ato shoqërore.
Në vitin 1947, shkolla u rihap dhe u quajt “Politeknikumi 7 Nëntori”, e cila vazhdoi misionin për të cilin u krijua.