Foto e rrallë e martesës së përbashkët të 10 çifteve nga Dardha në vitin 1931
Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA daton që prej shek. XIX. Deri në vitin 1923, qeveria shqiptare ndalonte emigrimin e fëmijëve dhe grave nga Shqipëria. Më pas, kjo masë u shfuqizua sepse binte ndesh me legjislacionin e ri shqiptar. Kjo e rriti numrin e emigrantëve dhe familje të tëra niseshin drejt SHBA. Pas miratimit të Aktit “Për statusin e emigrimit në SHBA” 1924, edhe Shqipërisë iu vendos një kuotë imigrantësh të lejuar për të hyrë në SHBA.
Në vitin 1928, Aktit per imigracionin iu nënshtrua disa ndryshimeve, ku reflektohej preferenca për hyrjen në SHBA të familjarëve të emigrantëve që punonin në Amerikë. Kjo përbënte kërcënim për zvogëlimin e popullsisë së ulët të Shqipërisë, ndaj, në tetor të vitit 1928, qeveria shqiptare miratoi vendimin përmes të cilit ndalohej emigrimi i familjeve të tëra drejt SHBA dhe lejohej vetë emigrimi i forcës punëtore dhe vajzave me qëllim martesën me emigrantë shqiptarë në SHBA.
Kjo histori e emigracionit shqiptar në SHBA, përgjatë më shumë se një shekulli, është e pasqyruar në këtë foto në një nga nuancat e saj më realiste: djemtë duhet të martoheshin me vajza shqiptare.
Kjo foto e janarit të vitit 1931, paraqet dhjetë djem të fshatit Dardhë, të kthyer nga emigracioni për t’u martuar me vajza nga fshati i tyre. Djemtë zgjodhën të martohen në të njëjtën ditë. Fotoja është marrë para vendit ku çiftet u pagëzuan dhe u martuan. Vetëm një pjesë e tyre u kthyen në Amerikë pas asaj dasme. Siç tregojnë pasardhësit e tyre, çiftet që u kthyen në SHBA, më së shumti nuk u kthyen më në atdhe. Fëmijët e tyre nuk i njohën kurrë gjyshërit dhe familjarët që jetonin aq larg.
Disa prej çifteve rifilluan jetën e tyre në Shqipëri. Pasardhësit e tyre u kthyen në SHBA pas viteve ‘90. Brezi i katërt i këtyre djemve dardharë, që ato vite zgjodhën të emigronin, jetojnë sot në shtete të ndryshme të SHBA.
*Shënim: Foto e marrë nga ekspozita e festimeve të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- SHBA, organizuar në Worcester, Massachusetts, në korrik të vitit 2022, kortezi e znj. Adriana Stefani.