Ndre Mjeda – Gjuha Shqype
Përmbi za që lëshon bylbyli
Gjuha shqipe m’shungullon;
Përmbi erë që nep zymbyli
Pa da zemrën ma ngushllon.
Ndër komb tjerë, ndër dhëna tjera,
Ku e shkoj jetën tash sa mot,
Veç për ty m’rreh zemra mjera,
E prej mallit derdhi lot.
Njikto gjuhë që jam tuj ndie
Janë të bukura me temel,
Por prap kjo, si diell pa hije
Për mue t’tanave ju del.
Edhe zogu kërkon lisin
Mbi shpi t’artë ku rri me mbret,
E shtegtari dishron fisin
Përmbi vend që s’asht i vet.
O Shqypni, e mjerë Shqypnia,
Plot me burra e trima plot
Ti ‘j dit ishe; por lumnia
Që ke pasun nuk a sot.
Nën nja tokë që ta shkel kamba
Zan e t’moçmëve vështro
Për bij t’tashëm , porsi e ama
E t’koritunve, gjimo.
Nam e za, që kishe, t’treti,
E veç turpi e marrja t’mbëloi;
Për lumni veç kore t’mbeti
Qysh se fara e mirë mbaroi
Por gazmo ndër gjith’ kto t’vshtira
Përse ende s’sharrove kret;
Diçka t’mbet ndër ato t’mira
Mbas dy mij e ma shumë vjet.
T’ka mbet gjuha që po ndihet
N’fush’ e n’mal që ti zotnon;
Gjith’ ku hija jote shtrihet,
Ku shqyptaria zanë e lëshon.
Prej Tivarit e n’Preveze
Nja a guha e kombi nji.
Ku lëshon dielli njato rreze
Që veç toka jote i di.
Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
Me zbardhë, Shqype, zanin tand,
E ku i Drinit a burimi
Që shpërndahet kand e kand.
Geg’ e Toskë, Malci jallia,
Jan’ nji komb, m’u da s’duron;
Fund a majë nji a Shqypnia,
E nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime
Ndër kta vllazën shoq me shoq:
Kush e ndan me fjal’ e shkrime
Ça natyra vetë përpoq.
Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
Si ‘i bij’kje pa prind mbet.
Për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
S’t’kishte kush për motër t’vet.
Kur nji burrë e çue n’Austri
E me sy gjithkund t’kërkoi;
Gustav Majer-i ashtu emni i tij,
Emni i burrit që t’madhnoi.
Porsi dielli tuj flakue
Shpërndan terrin që na mbëlon,
Njashtu Majeri tuj kërkue
Kah ke dalë pa ta difton.
T’difton motra, t’difton fisin
Nëpër shekuj fluturim,
T’çon njatj ku luftnan krisin,
Ku a kap Roma e Iliri shqim (shqim – fare, krej janë kapërtye për vdekje)
Njikto t’thot’ (e ti s’e dishe)
Janë t’bijt’ t’tu që pate mot,
Këta janë burrat që ‘j ditë kishe,
Emnit tand me i dalun zot.
Nën qytet që ma vonë çili
Kombi yt luftar ma pak,
Ku ish mbret atbotë Bardili,
Shum’ anmiku derdhi gjak.
E njat tokë që ju tuj gëzue
E ke xanë tash sa mij’vjet.
Shqyptaria që mbet mbëlue
Sot nën dhe, edhe shqyp flet.
Flet me rrasa, flet me sende
Ku lumnin’e vet e shkroi;
Por kurrkush s’i di këto vende,
E harrimi t’tana i mbëloi.
Por gjithnji nën kambë po ndihen
Burrat t’tu që toka i mbëlon;
E nën dhe kocijt përzihen
Si ‘j arë grun’kur era lëshon.
Don m’u çue e gjith’ për s’mbarit
Me u pri nipave mb’ nji cak,
Don me t’ba si ke kenë s’parit
T’nderës me kapë t’lumnueshmin prak.
Kremona, dhjetor 1892
Kjo lirikë, të cilën Mjeda e shkroi në vitin 1892, i kushtohet albanologut të shquar Gustav Mayer. Mjeda, në dorëshkrimin e tij ka lënë përkushtimin: “Fort t’dershmit zotni Gustav Meyer”. Majeri në vitet 1888-1897 botoi librin me studime rreth gramatikës së gjuhës shqipe dhe Mjeda ka pasur korrespondencë të vazhdueshme me të; aq sa për ndihmën e dhënë për çështjet gjuhësore, albanologu e ka quajtur bashkautor. Mjeda ja kushtoi Majerit këtë vjeshë më 1892, kur ky i fundit ishte caktuar si profesor i lëndës së logjikës në Krakov (Poloni).