26/11/2024/ 02:06
Isuf Myzyri – jeta dhe vepra
Art & Muzikë Autorë Biografi Shqiptarë

Isuf Myzyri – jeta dhe vepra

Jul 25, 2021

Isuf Ahmet Myzyri, ka lindur në Elbasan më 8 mars 1881 dhe ka vdekur po në Elbasan më 21 tetor 1956. Bir i familjes së madhe Myzyri të Elbasanit, tashmë i njohur dhe i respektuar në të gjitha trevat dhe diasporën shqiptare, ai zë vend nderi në krijimtarinë e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme.

Pas ushtrimit të disa profesioneve, në vitin 1910, Myzyri filloi ushtrimin e atij të qeleshepunuesit. Përveç mjeshtërisë së këngëve të bukura të Elbasanit, ai u bë mjeshtër edhe i krijimit të qelesheve të sheshta, të cilat përdoren edhe sot në zonën e Shqipërisë së Mesme; profesion të cilin e mësoi nga duararti Rexhep Murthi.

Kjo miqësi e çonte shpesh atë në Tiranë, ku miqtë u shtuan dhe i kishin zili, por edhe i admironin, tek ia thonin këngës nën tingujt e “qemanes” së Elbasanasit.

Me dhunti shpirtërore, me talent të spikatur për muzikën, lsuf Mysyzi u bë shpejt këndues dhe krijues i shumë këngëve të Shqipërisë së Mesme. Ai mësoi vetë t’i bjerë aq bukur violinës, me të cilën shoqëronte këngët e veta, por ajo që posedonte ishte e vjetër. Kjo violinë i bëri përshtypje një ushtari të regjimentit austriak, që aso kohe ndodhej në Elbasan.  U habit dhe u mahnit muzikanti austriak me këtë violinë të vjetër, që dukej sikur këndonte në duart mjeshtërore të këngëtarit. I  entuziazmuar, austriaku u përshëndosh me lsuf Myzyrin dhe i dhuroi violinën e tij të re. Banori nga vendi i muzikës klasike e vlerësoi aq sa mundi legjendarin e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. 

Këngët e lsuf Myzyrit, u bënë të dashura dhe të afërta, jo vetëm për Shqipërinë e Mesme, por për të gjitha trevat shqiptare. Ato këndoheshin kudo, ashtu siç ndodh edhe sot. lsuf Myzyri e pagëzuan ‘Usta Isufi’. Ky emër  u bë simbol i madhështisë dhe respektit për njeriun, për këngët e pavdekshme që ai i la kombit të vet.

Dhuntitë e lsufit për të krijuar, kompozuar dhe kënduar këngën popullore ishin të mëdha. Ai ngre një orkestër me instrumentistë dhe këngëtarët më të talentuar si: Musa Bebeti  me  mandol, Arif  Çerma me dajre, Met Gurra me utë, Myrteza Graceni me violinë etj; dhe grupin e këngëtarëve si Sabri Lolja, Muç Elbasani, Ali Zena,  Demir Shorja, Xhemal  Braçja, Met Balashi etj.

Kjo legjendë e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme ka krijuar një fond prej qindra këngësh popullore të ahengut Elbasanas, me motive nga jeta e përditshme, ku tematikat përfshijnë: dashurinë, fenë, këngë patriotike etj. Këngët e krijuara me aq dashuri prej tij, vazhdojnë të këndohen e të trashëgohen brez pas brezi, si pasuri e muzikës popullore shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Nuk lejohet kopjimi