Mango, mbreti i frutave
Mangot janë drurë me fruta me tul. Ato i përkasin gjinisë Magnifera, ku hyjnë shumë drurë me lule. Sot është përhapur në vendet tropikale. Mangot e zakonshme mund të rriten edhe në klimë subtropikale. Ato tregtohen në të gjithë botën.
Indianët i kanë pirë lëngjet e tyre para 3 000 vjetëve, ndërsa në botën perëndimore ato i kanë njohur vetëm 300 vjet më parë.
Drurët janë me gjethe gjithë vitin. Ndërsa frutat japin prodhime në kulmin e verës. Kur janë të papjekura lëngjet janë djegëse, ndërsa kur piqen bëhen të ëmbla. Nga prodhimet e tyre të tulta, janë krijuar thuajse 1 000 lloje të këtyre mbretërve të frutave në botë, që duken sikur na luten t’i shikojmë dhe t’i provojmë.
Ato mund të jenë të rrumbullakëta pothuajse si top, ose të kenë forma vezake, të gjata dhe të holla me ngjyra të kuqe, të verdha si perëndim dielli, ose të verdha si kanarinë, madje edhe të blerta si gjethet. Janë të vogla ose të mëdha sa shalqinjtë. Mangoja është dhuratë e botës së Azisë.
Nëse ndonjëri do të pyes rreth asaj se, cila është arritja më e madhe në Indi apo Azi, ju mund të thoni i sigurt, mango. Bima është në formë të egër e krijuar në pyjet e Asamit, në verilindje të Indisë dhe Mianmar (Burma). Nga e morën emrin? Emri mango erdhi nga Tamili, të cilët i thoshin mankaj. Ky emër ndryshoi në manga. Emrin e ri manga ose mango ia dhanë portugezët, banorët e parë europian, që shkuan në Indi përmes oqeanit, rreth 500 vjet më parë. Pasi arritën në pjesë të Indisë zbuluan mangot. Atyre duket u pëlqyen shumë frutat e këtyre bimëve dhe nisën punën për të krijuar lloje të reja mangoje. Alfonsenët ose Mulgonët e famshme, me të cilat ushqehen njerëzit sot, janë fryt përfundimtar i punës së tyre të vazhdueshme. Më pas e përhapën këtë frutë të pëlqyer në pjesë të tjera të botës.
Por, si mund ta dimë, që indianët e kanë shijuar mangon përpara 3000 vjetëve?
Thjeshtë, ata e kishin mësuar të vërtetën, për vlerat me cilësi të lartë të këtyre bimëve, nga shkrimet e gjetura në libra. Një nga ato është “Upanishad- Brhadaranjaka Upanjshad.”
Ndonëse e largët në kohë, disa cilësi e kanë bërë mangon tërheqëse. Ajo ishte shenjë e fatit të mirë. Në shumë pjesë të Indisë perëndimore dhe jugore, gjethet e mangos vendosen përpara derës.
Tuli i frytit të mangos ka fije të shëndetshme, antioksidant, vitamina A, C, B, B6 dhe shumë vitamina të tjera. Ka lëndë që frenojnë zhvillimin e prostatës dhe kancerit të lëkurës.
Çitra Padmanabhan
Marrë nga revista “Rreth e rrotull”